Duke ju referuar të dhënave të KQZ-së për pjesëmarrjen në votime, ish-kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi thotë se qytetarët e kanë humbur besimin tek politika teksa ju ka bërë thirrje të gjithëve që të dalin në votime.
E ftuar në Klan News, Luzi thotë se shkak për trendin rënës të pjesëmarrjes në votime, është edhe situata brenda opozitës, e ndarë në 2 kahe.
Pyetje: Pjesëmarrja para orës 12:00 ka qenë rreth 14%, ndërkohë krahasuar me 2021-shin ka qenë 20.2% dhe duket sikur ka një trend rënës. Shqiptarët votojnë më pak. Pse ndodh ky fenomen?
Lefterije Luzi: Qytetarët e kanë humbur besimin tek politika dhe nuk e gjejnë zgjidhjen duke shkuar pranë qendrave të votimit dhe duke votuar subjektin zgjedhor, të cilin mendojnë se i përfaqësojnë. Llogaritur dhe faktin që opozita ka qenë në një luftë brenda vetes dhe e ndarë sot, mendoj se dhe shumë njerëz që i takojnë kësaj force politike kanë zgjedhur të mos votojnë as për njërën anë dhe as për tjetrën duke shtuar edhe ndjekësit gri dhe kjo bën që rënia të jetë më e madhe këtë vit. Shpresojmë që të rritet numri pasdite. Unë dhe vetë nuk kam votuar. Pres të mbaroj këtu dhe të shkoj të votoj bashkë me familjen time. Shpresoj që njerëzit të ngrihen dhe të votojnë. Sa më i ulët të jetë përfaqësimi i njerëzve në votime, aq më i ulët është përfaqësimi i tyre në institucione./tvklan.al