Pasquale Bonavota, nën akuzë për vrasje dhe trafik droge
Arrestohet në Itali, një prej krerëve të organizatës famëkeqe mafioze Ndrangeta, Paskuale Bonavota. Mediat italiane shkruajnë se 49-vjeçari u vu në pranga, teksa ndodhej në katedralen e Xhenovas. Kur u ndalua, ai iu paraqiti policëve një kartë identiteti të falsifikuar.
Ai ishte në arrati prej 5 vitesh, pasi në 2018-ën gjykatat lëshuan ndaj tij një urdhërarrest si i akuzuar për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatat kriminale. Pas ndalimit, policia ushtroi kontrolle dhe sekuestroi prova materiale në shtëpinë e tij në këtë pallat. Ai u zbulua vetëm pasi u vu nën hetim bashkëshortja.
Paskuale Bonavota është një prej 300 të pandehurve në gjyqin e madh që po zhvillohet ndaj anëtarëve të organizatave mafioze. Si drejtues i Ndrangetas, Bonavota konsiderohet edhe si personi që merrte vendime të rëndësishme, për pazaret e drogës dhe lojërat e fatit.
Ndrangeta, që dominon trafikun e kokainës në Itali dhe Europë, ka zgjeruar aktivitetin e saj vitet e fundit, pas dobësimit të dy organizatave të tjera të jugut të vendit, si Kamorra dhe Koza Nostra. Arrestimi i Bonavota vjen tre muaj pas kapjes të bosit të mafias siçiliane Matteo Messina Denaro.
Tv Klan