SHBA DHE BE: TË ZBATOHET MARRËVESHJA E OHRIT
Një ditë pas zgjedhjeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar kryetarëve të sapo zgjedhur që të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim etnie.
Ai ka kritikuar sic ka thënë fushatën e egër të Beogradit që rezultuan me dalje të ulët të qytetarëve në zgjedhje.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për procesin e votimit në katër komunat veriore.
Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në votim, përkundër sipas saj, të ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë.
Bashkimi Evropian tha se zgjedhjet e mbajtura në veri të dielën nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna, e kjo sipas tij, mund të arrihet vetëm nëpërmjet kthimit të përhershëm të serbëve në institucionet e Kosovës.
BE-ja të hënën në një komunikatë se institucionet kosovare duhet ta mundësojnë këtë kthim, e themelimi i Asociacionit duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Zbatimin e marrëveshjes së Ohrit e ka kërkuar edhe SHBA-ja.
“Mbrëmë kemi bërë një deklaratë, e cila flet vetë për rëndësinë e implementimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit” – tha Jefrey Hovenier, ambasador i SHBA-së ë Kosovë.
Në një komunikatë për media, Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se përkrahin një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe iu vjen keq që jo të gjitha partitë nuk e shfrytëzuan të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme.
Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha