SHKËNDIJA NË TETOVË PRET TIKVESHIN, STRUGA TL KUNDËR POBEDËS
Kampionati republikan në Ligën e Parë të futbollit vendor vazhdon të shtunën me ndeshjet e javës së 27-të ku priten ndeshje mjaft interesante si Kratovë ashtu edhe në Tetovë dhe Gjorçe Petrov. Të gjitha ndeshjet zhvillohen të shtunën me fillim në ora 16:00.
Në Tetovë, Shkëndija është nikoqire e Tikveshit, skuadër e cila në pjesën vjeshtore befasoi “kuqezinjtë” duke barazuar pa gola. Futbollisti Bruno Dita për Klan Maqedoni, përkundër zhgënjimit në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës, u shpreh optimisht se kundër Tikveshit do të shënojnë rezultat pozitiv.
“Normalisht shkojmë për tre pikët në ndeshjen me Tikveshin, të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt titullit kampion, shpresojmë të dalim me tre pikë nga kjo ndeshje. E di që do të jetë një ndeshje e vështirë, por nëse japim maksimumin gjithsecili, do dalim triumfator. Mendoj se është e mirë, u mërzitëm pak sepse donim që ta mernim kupën, por ja gjëra që ndodhin, penaltitë janë 50/50, por që atmosfera është shumë e mirë edhe shkojmë për fitore me Tikveshin.” – tha Bruno Dita, futbollist i KF Shkëndija.
Lideri në renditjen e tabelës Struga Trim Lum është nikoqire e Pobedës që aktualisht mbanë pozitën e fundit në tabelë. Për struganët s`ka dilemma – vetëm fitorja është imperativ.
“Tanimë dihet se për ne çdo ndeshje është sikur finale. Kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje, ku çdo ndeshje do e marrim një nga një. Edhe ndeshja kundër Pobedës ka një rëndësi të madhe për ne. Jemi të gjithë të përgatitur maksimalisht të motivuar që të arrijmë këtë fitore dhe shpresoj që deri në fund të mbajmë vendin e parë” – tha Bunjamin Shabani, kapiten i KF Struga Trim Lum,
Në tre takimet tjera të javës së 27-të, Rabotniçki është nikoqire e Skopjes, Makedonija Gj.P takohet me Akademija Pandevin, ndërsa në Kratovë, Sileksi përballet me Bregallnicën. Të gjitha ndeshjet luhen të shtunën në ora 16:00. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Shaban Sinani