Si Rusia bëhet gati për luftë kibernetike

Shërbimet sekrete ruse planifikojnë fushata disinformuese dhe sulme ndaj infrastrukturës civile me ndihmën e një kompanie teknologjike në Moskë, “NTC Vulkan”. Informacionet u dorëzuan nga një ish-punonjës.

Sipas zbulimeve të një grupi investigativ të mediave gjermane dhe atyre ndërkombëtare, shërbimet sekrete ruse planifikojnë sulme kibernetike në të gjithë botën ndaj infrastrukturës civile.

Pas zbulimeve, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser kërkon më shumë kompetenca të Zyrës Federale të Kriminalistikës, BKA. E pyetur për të ashquajturat “hackbaks” politikisht të kontestuara, Faeser tha. “Nuk bëhet fjalë për kundërsulme. Por ne duhet të kemi kompetencat për të identifikuar sulmet dhe t’i ndalim ato. Këto kompetenca na duhen dhe unë i shoh këto kompetenca të vendosura më së miri tek Zyra Federale e Kriminalistikës”.

Prej vitesh Ukraina dhe vende të tjera janë objekt sulmesh kibernetike. Zyrtarisht Kremlini e mohon këtë. Por mijëra faqe dokumente sekrete janë bërë para pak ditësh publike, nga ku bëhet e qartë, se si një kompani teknlogjike ruse po zhvillon armë digjitale për ushtrinë e Vladimir Putinit dhe shërbimet sekrete. Dokumentet sekrete të bëra publike nën emrin “Vulkan files” janë bërë të njohura nga një person “whistleblower” që mbetet sekret. Një grup mediash gjermane si “ZDF Frontal”, “Spiegel”, “Süddeutsche Zeitung” dhe disa media ndërkombëtare kanë bërë vlerësimin e dokumenteve. Ato tregojnë, se Rusia planifikon të godasë me sulme kibernetike rrjetin.

Sulme të qëllimshme nddaj shinave, aeroporteve dhe rrjeteve të rrymës elektrike

Rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan kompania ruse Vulkan me seli në verilindje të Moskës. Nga jashtë kjo kompani paraqitet si një zhvillues softuerësh, por sipas dokumenteve të brendshme, Vulkan punon për shërbimet sekrete ruse, shërbimin informativ ushtarak, GRU, shërbimin e brendshëm informativ, FSB dhe shërbimin informativ të huaj, SWR. Pjesë të “Vulkan Files” janë material mësimor. Aty përshkruhet se çfarë duhet të trajnohet me softuerët: “paralizimi i sistemeve të kontrollit të hekurudhës, transportit të anijeve dhe nga ajri”, “krijimi i problemeve tek kompanitë e energjisë dhe infrastrukturës kritike”, identifikimi i pikave të dobta të infrastrukturës” për t’i sulmuar ato”.

Për eksperten e informatikës me origjinë nga Ukraina nga “Rrjeti Europian i Sigurisë Kibernetike”, Marina Krotofil sulmet kibernetike shkelin të drejtën ndërkombëtare. “Kjo sigurisht shkel Konventën e Gjenevës, sepse këto janë infrastrukturë civile. Këto lidhen me furnizimin me ujë, prodhimin e rrymës elektrike, dhe impiante petrokimike.” Produkt tjetër i “Vulkan”është edhe “Skan W”. Programi kërkon rrjetin ndaj pikave të dobta dhe depërton aty ku mundet për të sulmuar.

Shërbimet sekrete perëndimore të shqetësuara

Disa shërbime sekrete perëndimore kanë mundur të shohin në disa bisedime informimi pjese të “Vulkan Files”. Ato i vlerësojnë si autentike dhe shqetësuese dokumentet. Ekipit të gazetarëve gjermanë një shërbim informativ i ka shkruar: “Kompanitë si Vulkan aftësojnë shërbimin ushtarak rus, GRU të kryejë operacione kibernetike. Programe si Skan W janë parashikuar për qëllime ofensive (…).Dokumentet Vulkan janë një zbuim i rrallë dhe ndihmojnë të kuptojnë, se çfarë ka parasysh GRU.”

Një qëllim tjetër i Rusisë: komandimi i internetit në sfera të caktuara dhe seleksionimi i asaj, se çfarë duhet t’u tregohet përdoruesve e çfarë jo. Edhe këtu sipas zbulimeve do duhet të ndihmojë softueri “Amesit”. Sipas dokumenteve të ofruara ai ka këto detyra: “të bllokojë qasjen tek kanalet e padëshiruara të të dhënave”, “kërkesat e përdoruesve të orientohen tek burimet e dëshiruara të internetit në hapësirat e parashikuara për këtë”. Sipas eskpertit për shërbimet sekrete, Andrej Soldatov “qëllimi është kontrolli i plotë mbi informacione në atë territor, ku ata përpiqen të depërtojnë”. Soldatov thotë, se depërtohet në një hapësirë të caktuar interneti, merret përsipër kontrolli për të përhapur disinformata, manipulohen mediat sociale dhe mbahen të papublikuara informacione të caktuara.

Deputeti gjerman i Gjelbër, Konstantin von Notz, drejtues i Komisionit Kontrollues të Bundestagut për Shërbimet Sekrete është i mendimit se “ka qindra armë kibernetike” në zhvillim. “Nga rastet e viteve të fundit bëhet e qartë se ka një rrezik real për infrastrukturën kritike në Gjermani”, shprehet von Notz./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share