Osmani – Xhaçka: 2030-ta mundësi reale për anëtarësimin e RMV-së dhe Shqipërisë në BE

KORRIDORI 8 MBETET NDËR PRIORITETET KRYESORE TË DY VENDEVE

Lidhja infrastrukturore e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë përmes korridorit 8, mbetet një ndër prioritetet e dy vendeve, njofton KlanM.

Këtë e thanë ministrat e Jashtëm të dy shteteve, Bujar Osmani dhe Olta Xhaçka, pas takimit që realizuan sot në Shkup.

Osmani tha se, përgatitjet për fillimet për lidhjen e autostradës janë në rrjedhw e sipër. Ndërkaq, Xhaçka tha se, ky proces mund të shërbej edhe si bosht bashkëpunimi dhe shkëmbimeve mes vendeve.

“Edhe qeveria shqiptare është duke punuar fort në këtë iniciativë, e cila sot përtej dimensionit të thjeshtë infrastrukturorë apo ekonomik, ka përftuar edhe një dimension të rëndësishëm sigurie në kontekstin e luftës në Ukrainë. Pra, forcimi i bashkëpunimit mes nesh ka një vlerë që shkon përtej interesit tonë dy palësh, por ndikon te rajoni, e duke ndikuar te rajoni, ndikon edhe në sigurinë dhe stabilitetin e vet Evropës” – tha Olta Xhaçka.

E pyetur se si do të veprojë Shqipëria në rast se Maqedonia e Veriut nuk arrin me kohë t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, sic percjell KlanM, Xhaçka tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ecur bashkërisht krah për krah në procesin e integrimit, por theksoi se është e rëndësishme që, aktorët politik duhet të kuptojnë që ky është një tren që nuk duhet humbur.

“Ndryshimet kushtetuese duhet bëhen dhe të gjithë duhet të tregohen të vetëdijshëm se, duke bërë një veprim të tillë, do t’i hapin rrugën integrimit dhe prosperitetit të vendit dhe qytetarëve të tyre” – deklaroi Olta Xhaçka.

Ndërkaq, Osmani duke folur për këtë temë, tha se nuk do të ishte e ndershme t’i kërkoj Shqipërisë që të mos të vazhdojë procesin e integrimeve, në rast se Maqedonia e Veriut përballet sërish me pengesa. Osmani, sic njofton KlanM, po ashtu, porositi se është në duart e faktorit politik në vend se çfarë vendimi do të merr, në një kohë kur ndërgjegjësimi i BE-së  po krijon një mundësi që deri në vitin 2030 gjithë rajoni të anëtarësohet në Union.

“A do e kapim këtë shanse, apo do e përsërisim atë që na ndodhi para 15 viteve në raporte me Greqinë, tani mbetet në duart tona, a do të izolohemi, a po do të jemi pjesë e këtij treni të përshpejtuar që na çon drejt Brukselit, është vendim i secilit prej deputetëve në Parlament, i secilit prej nesh, në emër të qytetarëve dhe shtetit tonë” – tha Bujar Osmani.

Në kuadër të vizitës së saj në Shkup, Xhaçka është takuar edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovskin, kryeparlamentarin, Talat Xhaferi dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmetin. Edhe në këto takime u fol për raportet bilaterale, si dhe rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve drejt anëtarësimit në BE. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share