Presidenti Zelenskyy shkarkon komandantin e lartë ushtarak
Krimet e luftës në Ukrainë kanë dominuar axhendën e OKB-së në Gjenevë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha gjatë fjalimit të tij se lufta kishte shkaktuar shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.
“Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile kanë shkaktuar shumë viktima dhe vuajtje të tmerrshme. Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar dhjetëra raste të dhunës seksuale ndaj burrave, grave dhe vajzave që lidhen me luftën.”
Ukraina dhe vendet aleate kanë shprehur pakënaqësi nga pjesëmarrja e zëvendësministrit të jashtëm rus Sergei Ryabkov, i cili do t’i drejtohet Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Enjten. Ndërkohë, luftime intensive vijojnë mes forcave ukrainase dhe ato ruse. Vetëm gjatë natës forcat ukrainase thonë se kanë rrëzuar 11 dronë “kamikaze” të prodhuar nga Irani, duke përfshirë nëntë mbi rajonin e Kievit. Të paktën një person është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në një sulm me dron në qytetin Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore.
Ndryshime kanë ndodhur edhe në ushtrinë ukrainase. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka shkarkuar një komandant të lartë ushtarak ukrainas që ndihmonte në udhëheqjen e luftës kundër Rusisë në lindje të vendit.
Kreu i shtetit shkarkoi Eduard Moskalyov si komandant të forcave të përbashkëta të Ukrainës në një dekret megjithëse nuk u dhanë arsye për një vendim të tillë. Sakaq, shpreset që lufta të përfundojë në tryezën e bisedimeve janë zbehur gjithnjë e më shumë.
Plani prej 14 pikash i propozuar nga Kina për ti dhënë fund luftës për Kremlinin do të duhet të analizohet në detaje.Vetë zëdhënësi Dmitri Peskov është shprehur se nuk sheh asnjë shenjë që tregon se mund të arrihet një zgjidhje paqësore për konfliktin.
Klan News