Taravari: Krahu i kontrolluar nga Rusia në VMRO duan të më paraqesin si radikal dhe të korruptuar

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sa i përket kritikave dhe akuzave të shumta nga ana e VMRO-DPMNE-së drejt ASh-së, theksoi se me këtë retorikë anti-shqiptare VMRO vetëm po dëmton veten, pasi pas zgjedhjeve të ardhshme nuk do të mund të gjejë një partner shqiptar për të bashkëpunuar.

“Me këtë fjalor që përdor VMRO-ja dhe Levica, me këtë fjalor anti shqiptar në çdo paraqitje se çdo gjë që u pengon janë shqiptarët, paraqet një atmosferë të përgjithshme në shtet sikurse shqiptarët janë ata që e pengojnë shtetin, duan ta ndryshojnë Kushtetutën me çdo kusht, bëjnë gjithçka që gjoja maqedonasit mos ekzistojnë apo se janë kundër maqedonasve. Kjo do krijojë menjëherë anti dotin e tyre. Prandaj them se do të ketë një kthesë të jashtëzakonshme. Shqipëria do të vazhdojë negociatat, ne do mbetemi me veton bullgare, krizën ekonomike, ikjen e të rinjëve dhe frustrimet që do paraqiten te popullata në përgjithësi. Pastaj, çdo krizë sjell mosëmarrëveshje të reja të cilat pastaj mund ta ngatërrojnë komplet funksionimin e shtetit”, deklaroi kreu i ASh-së, Arben Taravari në emisionin “Argument” në TVM2.

Duker folur më tej mbi akuzat e VMRO-DPMNE-së, Taravari tha se “krahu i kontrolluar nga Rusia duan të më paraqesin si radikal dhe të korruptuar”.

“Në VMRO ka një pjesë që ata e dinë, sidomos anëtarët e VMRO-së se ka një fraksion rus aty. E dinë edhe vetë partiakët e tyre se kjo ndodh sidomos nga Nikollovski i cili e dominon edhe Mickoskin, e kam përshtypjen se nuk e përfill dhe vazhdimisht ka do teza të cilat nuk mund t’i kuptojë as vetë si mund t’i përdorë. Dy qëllime kanë me atë propagandën ruse, shkaku është stagnimi i VMRO-së që ta paraqesin Taravarin si radikal, si njeri nacionalist, shovenist, ultra nacionalist dhe e dyta se jam i korruptuar. Këto janë dy pikësynimiet e grupit pro rus të VMRO-së. Radikalizimin e lidhin me atë që kam thënë se nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese do ketë radikalizim të situatës, dhe ata vazhduan me kolumna, shkrime, nëpër debate thonë se Taravari do radikalizohet, do ta destabilizon shtetin dhe do luftë. Me atë që duan të më nxjerrin të korruptuar, duhet ta dinë se e kam thënë disa herë që unë nuk shantazhohen dhe nuk mund të korruptohem. Në atë moment kur do jem i shantazhuar, nuk merrem me politikë, shkoj në pension. Tani shpikin diçka se gjoja dikush më ka dhënë diçka për të hyrë në qeveri, unë shtëpinë në Shkup e kam nga viti 2021 dhe e kam të paraqitur në listën anketuese”, deklaroi më tej Taravari.

Ai pyeti publikisht Nikollovskin se kush udhëheq me VMRO-DPMNE-në.

“Kush udhëheq me partinë ai apo Mickoski dhe pse kur dolën përgjimet në vitin 2015-të për Nikollovskin nuk kishte asnjë përgjim. Le të më përgjigjet Nikollovski mbi këtë, a ka diçka që ne nuk e dimë dhe ai duhet të sqarohet”, pyeti publikisht Taravari nënkryetarin dhe deputetin e VMRO-së, Aleksandar Nikollovski.

Me këtë që bën tani VMRO, unë aty e shoh kthimin e “gruevizmit”, theksoi më tej kreu i ASh-së. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share