Mjeku me “diplomë false” | Prokuroria e Strugës me tre lëndë për keqpërdorime në Shtëpinë e Shëndetit në Vevçan

Para disa muajsh u zbulua skandali në Shtëpinë e Shëndetit në Vevçan afër Strugës, ku një “mjek” i punësuar në këtë institucion, nuk kishte diplomuar fare në Mjekësi. I njejti kishte falsifikuar diplomën dhe për disa vite ka punuar si mjek pa i plotësuar kushtet. Si pasojë, Prokuroria Themelore në Strugë ka hapur tre lëndë për keqpërdorime dhe dyshime për diss vepra penale në këtë institucion shëndetësor, raporton Klan Maqedoni.

“Aplikanti, edhe pse e dinte se nuk dispononte dokumentacionin e kërkuar për punësim, kishte përgatitur dokumente false – vërtetim të falsifikuar për provimet e mbartura në Fakultetin e Shkencave Mjekësore dhe vërtetim dhe licencë të falsifikuar nga Oda e Mjekësisë. Dokumentet i ka shfrytëzuar sikur të ishin të vërteta dhe me to ka aplikuar në dy raste në konkurs për punë – mjek në ISHP Shtëpia e shëndetit – Vevçan. Herën e parë në shpallje në vitin 2016 nuk është përzgjedhur, por në vitin 2018 është përzgjedhur dhe punësuar”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Por pas hetimeve të kësaj periudhe nga ana e PTHP-së, duket se situata me keqpërdorimet në Vevçan po rëndohet më tej. Përveç “mjekut” në fjalë, janë zbuluar edhe dy raste tjera të punësimit të mjekëve pa pasur licensat përkatëse. Si pasojë, janë hapur edhe dy lëndë tjera për keqpërdorime ndaj disa të punësuarve, përfshirë drejtorin e institucionit.

“Rasti i parë ka të bëjë me drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit në Vevçan, për të cilin ka indikacione se nga viti 2019 ka pasur dijeni se personi i cili është paraqitur si mjek nuk ka pasur licencë nga Oda e Mjekëve. Për këtë ai është njoftuar me shkrim me një shkresë nga Oda e Mjekëve. Mirëpo, përkundër konstatimeve të tilla, ai e ka lejuar aplikuesin që të vazhdojë ushtrimin e mjekësisë në Qendrën Shëndetësore në Vevçan deri në gjysmën e dytë të vitit 2022. Në këtë mënyrë ka indicie se drejtori i ISHP Shtëpia e Shëndetit në Vevçan ka kryer vepër penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 i Kodit Penal”, thonë nga PTHP.

Për rastin e dy mjekeve tjera nga kjo prokurori sqarojnë.

“Nga dokumentacioni i siguruar, Prokuroria Themelore Publike e Strugës mësoi se për konkurs për punësim në vitin 2019 në ISHP Shtëpia e Shëndetit– Vevçan kanë aplikuar dy kandidate femra të cilat në atë kohë nuk kishin licencë. Përkundër kësaj, Komisioni Përzgjedhës i Punësimit konstatoi se ata i plotësojnë kushtet ligjore. Duke pasur parasysh se pa licenca nuk mund të punësoheshin si mjekë në një institucion shëndetësor, me ta ishte lidhur kontrata dhe u pranuan si praktikantë. Pasi disa muaj më vonë siguruan licencat, pa shpallje të re, u lidhën kontratat e punës me dy kandidatët”, sqarojnë nga prokuroria.

Në lidhje me këtë rast, PTHP-Strugë po heton pretendimet për vepra penale: “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 dhe keqpërdorimi në shërbim sipas nenit 353c të Kodit penal për drejtorin e institucionit si dhe për tre anëtarë të Komisionit Përzgjedhës të Punësimit.​/KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share