Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali ka njoftuar se sot në Klinikën e Kirurgjisë Digjestive është kryer transplanti i parë i mëlçisë nga donatori i vdekur në historinë e shëndetësisë në Maqedoni. Ekipin e mjekëve dhe stafit mjekësor që kryen transplantin e ka drejtuar profesori Zoran Karaxhov.
“Pacienti gjashtëdhjetëvjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë mori një organ të shëndetshëm nga pacientja me vdekje në tru, familja e së cilës mbrëmë pranoi t’i dhurojë organet.
Krahas mëlçisë, momentalisht është duke u zhvilluar transplantimi i veshkave në dy pacientë me sëmundje të veshkave. Në emrin tim personal dhe në emër të gjithë personelit të përfshirë në ndërhyrjen e transplanteve, do të doja të falënderoja familjen e donatorit dhe vendimin e tyre për të shpëtuar jo një, por tre jetë. Ata na treguan edhe një herë se jeta mund të dhurohet.
Falenderojmë gjithashtu të gjitha ekipet mjekësore të përfshira në transplantim, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë me pacientët gjatë 24 orëve të fundit”, ka shkruar ministri Sali./KlanMacedonia