KOVAÇEVSKI: “LEVICA” RREZIKU MË I MADH PËR RRUGËN EVROPIANE TË VENDIT
Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski pas takimit që realizoi sot me eurodeputeten dhe lideren e Aleancës Progresive të Socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia Perez deklaroi se vendi nuk ka alternativë tjetër dhe se Bashkimi Evropian është rruga e vetme. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe Perz sipas të cilës RMV-ja i takon familjes evropiane
Në emër të grupit të dytë më të madh politik në Parlamentin Evropian me mbi 150 deputetë, por edhe në emër të 8 komesarëve në Komisionin Evropian, Eurodeputetja dhe liderja e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Iraçe Garsija Perez, nga Shkupi dha mesazhin se ndryshimet kushtetuese janë me interes kombëtar dhe se nuk është koha për kalkulime politike.
“Kam ardhur në një moment të rëndësishëm, hapja e negociatave dhe procesi i skriningut. Një punë duhet të jetë e qartë, RMV-ja i takon Evropës ajo është pjesë e familjes evropiane. Por ardhmëria është në duart e juaja dhe në vullnetin e Kuvendit dhe qytetarëve. Është e rëndësishme që interesat partiake të lihen anash dhe të bashkohen përpjekjet që të gjendet kompromis për reformat e nevojshme”, tha Perez
Edhe sot, nuk munguan thirrjet e Kryeministrit të RMV-së Dimitar Kovaçevski drejtuar deputetëve për t`i përkrahur ndryshimet kushtetuese që të vazhdojë rrugëtimi evropian i vendit. Kryeministri, tha se rreziku më i madh në këtë rrugëtim është partia “E Majta” që mban peng edhe VMRO-DPMNE-në.
“Rreziku më i madh për rrugën tonë drejt së ardhmes evropiane qëndron tek një parti politike, e cila ka një politikë anti-evropiane, anti-NATO dhe anti-integruese. Është “E Majta” dhe presidenti i saj, Dimitar Apasiev, që njëherit po mban peng edhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski” – deklaroi Kovaçevski.
Eurodeputetja Perez Garsija, e cila nesër do të qëndrojë në Shqipëri, paralajmëroi se në Tiranë më 6 Dhjetor do të mbahet Samiti i rëndësishëm BE-Ballkani Perëndimor, kurse socialdemokratët më 8 Dhjetor në Vjenë do të organizojnë një samit për Ballkan progresiv perëndimor ku do të përgatitet strategjia për stimul të ri për zgjerimin e rajonit, për cka janë duke punuar në përgatitjen e deklaratës. /KlanMacedonia/