Kupa e Botës është kompeticioni ku çdo futbollist profesionist do ta ëndërronte të merrte pjesë. Vetëm pak ditë na ndajnë nga Katar 2022 dhe të gjitha kombëtaret kanë bërë publike listat e skuadrave. E megjithëse do të arrijmë të shijojmë magjinë e shumë futbollistëve të njohur, të tjerë yje nuk kanë marrë një ftesë zyrtare dhe kanë mbetur jashtë kësaj Kupe Bote. Më poshtë, një listë të disa prej futbollistëve që nuk do të jenë në Katar.
Sergio Ramos
Sergio Ramos u la jashtë skuadrës së Spanjës në Euro 2020 për shkak të një dëmtimi. Megjithatë kjo mungesë edhe në Kupën e Botës duket e vështirë për t’u shpjeguar. Legjenda e Real Madridit mund të jetë 36 vjeç, ama këtë sezon ka luajtur rregullisht me Paris Saint Germain. Se sa do i kushtojë Spanjës mungesa e tij, kjo do të shikohet në vijim.
Mats Hummels
Një tjetër mbrojtës jashtë… Gjermani e ka konsideruar si një nga zhgënjimet më të mëdha mungesën për në Katar. Mbrojtësi i Borussia Dortmund ka qenë në formë të mirë këtë sezon. Megjithatë, trajneri gjerman Hansi Flick deshi t’i besonte të rinjve.
Roberto Firmino
Ka shumë pak sulmues si numri 9 i Liverpool-it. Këtë sezon ai është një më të mirët dhe ka shënuar disa gola për “Të kuqtë”. Megjithatë, aspak fat për të. Tite e la jashtë listës zyrtare të Brazilit. Firminos nuk i ka mbetur asgjë tjetër veçse të shprehë zhgënjimin e tij.
David de Gea
Të gjithë e dimë… David de Gea është një nga portierët më të mirë në botë për lojën me këmbë. Megjithatë jo për Luis Enrique-n. Trajneri spanjoll nuk e ka ftuar portierin e Manchester United, madje nuk e konsideron as si një nga 3 portierët e tij.
Tammy Abraham
Tammy Abraham, sulmuesi i Romës, ndoshta e humbi “dashurinë” për rrjetën në kohën e gabuar. Sezonin e kaluar zhvilloi paraqitje të jashtëzakonshme duke shënuar 27 herë dhe me Mourinho-n fitoi Conference League. Megjithatë këtë vit Abraham ka shënuar vetëm 3 gola.
Thiago Alcantara
Ende e pabesueshme se pse lihet jashtë, por jo e papritur. Luis Enrique e la jashtë Spanjës edhe për Euro 2020. Thiago ka pasur disa dëmtime këtë sezon, megjithatë mbetet një prej më të mirëve në rolin e tij.
Ferland Mendy
Ferland Mendy ndoshta priste një biletë për Katar, por nuk do të jetë e mundur. Ai mund të jetë zgjedhja e parë në krahun e majtë për Realin e Madridit, por jo për Deschamps. Ai kërkon që të imponojë një lojë me 3 mbrojtës qendrorë dhe kërkon që lojtari i krahut të jetë i mirë përpara dhe mbrapa në mbrojtje. Me formën e jashtëzakonshme të Theo Hernandez, Mendy duket se nuk ka pasur asnjë shans.
Fikayo Tomori
Ka pasur gjithmonë një frikë se pavarësisht ndeshjeve të shkëlqyera të Tomorit me Milanin, trajneri Southgate do ta gjykonte vetëm për ato që luajti kundër Chelsea. Dhe mesa duket paska qenë e vërtetë. Tomori u la jashtë Kupës së Botës. Në vend të tij, Harry Maguire, kapiteni i Manchester United, që këtë sezon më shumë është parë në stolin e rezervave sesa në fushën e blertë./tvklan.al