Sot pritet të fillojë gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, dy herët e para dështoi

Në Gjykatën Themelore – Tetovë sot në ora 10:00 duhet të fillojë gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, i cili ndodhi më 8 shtator 2021, ku 14 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.

Pas një hetimi dhjetë mujor, fillimi i gjykimit ishte caktuar për në datën 6 shtator, por ai u shty për në datën 14 tetor për shkak të mungesës së dy prej të pandehurve. Më 14 tetor u shty për sot, 8 nëntor, pasi dy nga të pandehurit nuk kishin avokatë.

Të akuzuar janë drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe mjeku Boban Vuçeski dhe Spitali Klinik Tetovë si person juridik.

Prokuroria e Tetovës i ka akuzuar dy drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe mjekun Boban Vuçevski për veprën penale të mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë, ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik Tetovë për veprat penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë pandemisë.

Gjykimi erdhi pasi Prokuroria më 27 korrik kishte dorëzuar aktakuzë nga Gjykata Themelore e Tetovës. Prokuroria zhvilloi një hetim për dhjetë muaj në të cilin u bënë analiza dhe ekspertiza nga Ministria e Brendshme, Fakulteti i Teknologjisë, një inxhinier elektroteknik dhe ekspertë e hetues të Policisë Kriminale Federale të Gjermanisë.

Në tetor 2021, pas ekspertizës së MPB-së, Prokuroria informoi se zjarri në objektin modular është shkaktuar nga një kabllo përçues i djegur, në të cilin janë vendosur një aparat defibrilator-reanimues, një karikues celulari dhe një pajisje tjetër, njoftoi prokuroria.

Dy drejtorët e atëhershëm të spitalit të Tetovës dhanë dorëheqje, por mbetën në pozitat e tyre deri në ristrukturimin në Qeveri.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share