Shqipëria i hap rrugë riverifikimit të zyrtarëve me “certifikatë pastërtie”

Kuvendi i Shqipërisë i ka hapur rrugë riverifikimit të të gjithë personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.

Pas një seance maratonë – që ka zgjatur rreth 13 orë – Kuvendi ka miratuar në mesnatën e 20 tetorit ndryshimet në ligjin “për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Ligji parashikon hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjitha dokumenteve nga 29 nëntori 1944 deri më 2 korrik 1991, që gjenden në Arkivin e Shtetit.

Ndryshimet i mundësojnë çdokujt qasje të plotë.

Aktualisht, edhe pse mundësohet marrja e një kopjeje të dosjes, një pjesë e të dhënave nuk ofrohen të plota.

Ndryshimet janë miratuar me 94 vota për dhe një kundër, pas shtimit të disa amendamenteve të kërkuara nga demokratët opozitarë.

Në këtë seancë nuk ka qenë i pranishëm kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Nisma e paraqitur nga Partia Socialiste shfuqizon komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”, që kanë pajisur me ‘certifikatë pastërtie’ zyrtarë të ndryshëm dhe i jep të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e çdo zyrtari.

Ky propozim i është paraqitur Kuvendit pas kërkesës së Autoritetit të Dosjeve, bazuar nën dyshimet se ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Meta është i pajisur me ‘certifikatë pastërtie’.

“Të gjithë e dimë se kush na ka sjellë këtu sot, ai është I.M dhe gjithçka që thuhet për të në dosjet e ish-Sigurimit duhet të sqarohet”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka thënë se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit do të duhej të ishte ndërmarrë shumë vite më parë.

“Nuk bëhet vetëm hapja e dosjeve për të parë kush kanë qenë bashkëpunëtorët e Sigurimit, por për të parë kush kanë qenë punëtorët, prokurorët, gjyqtarët, ekspertët dhe gardianë burgjesh që vdekjen e njerëzve të pafajshëm e kanë pasur në bukën e tyre të përditshme. Na falni shqiptarë, ju që keni vuajtur, ju që nuk gjeni eshtrat, ju që keni hequr të zitë e ullirit nga punëtorë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit që kaq vonë u kujtuan për ju”, ka thënë ai.

Sipas Autoritetit të Dosjeve, Ilir Meta ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar shokun e tij, Filip Talo.

Autoriteti ka kërkuar heqjen e pengesës ligjore për të verifikuar Metën dhe të gjithë ata që janë pajisur me ‘certifikatën e pastërtisë’.

Ilir Meta ka mohuar se ka qenë bashkëpunëtori i ish-Sigurimit të Shtetit, dhe i ka cilësuar akuzat, të motivuara politikisht.

Ai ka ngritur kallëzim penal për anëtarët e Autoritetit./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share