Ushtria e Ukrainës tha më 18 gusht se forcat e saj kanë zbrapsur një sulm rus në rajonin jugor të Hersonit, derisa granatimet nga forcat e Rusisë në qytetin verior të Harkivit vranë shtatë persona dhe plagosën 16 të tjerë.
Inteligjenca britanike vuri në dukje mungesën e disiplinës të trupave ruse, si shkak i mundshëm për performancën e saj të dobët.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti “të ulët dhe cinik” bombardimin në Harkiv, i cili kishte goditur një konvikt.
“Dhimbje për Harkivin. Sulm me raketë… Në konvikt… Ndërtesa u shkatërrua plotësisht”, shkroi Zelensky në Telegram. “Një sulm i ulët dhe cinik ndaj civilëve që nuk ka justifikim dhe tregon pafuqinë e agresorit. Ne nuk do t’i falim, do të hakmerremi”, tha Zelensky.
Në Ukrainën jugore, forcat e Kievit zmbrapsën një tentativë avancimi nga forcat ruse pranë qytetit Bilohirka, në verilindje të Hersonit, tha analisti ushtarak ukrainas, Oleh Zhdanov.
Distrikti jugor i Komandës Operative të Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se forcat ukrainase vranë 29 “pushtues” dhe shkatërruan artileri, automjete të blinduara dhe një depo furnizimi ushtarak.
Pretendimet nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
“Që nga muaji i kaluar, forcat ruse kanë arritur përparime minimale, dhe në disa raste ne kemi përparuar”, tha në një video-mesazh këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych. “Ajo që po shohim është një ‘ngërç strategjik’”.
Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve RIA raportoi me burime më 17 gusht se komandanti i flotës së saj në Detin e Zi, Igor Osipov, ishte zëvendësuar me një komandant të ri, Viktor Sokolov.
Nëse kjo konfirmohet, ky do të ishte një nga shkarkimet më të spikatura të një zyrtari ushtarak rus deri më tani në luftën pothuajse gjashtëmujore.
Banorët e Hersonit i nënshtrohen një kontrolli sigurie në një zyrë për të aplikuar për pasaporta ruse, të cilat tani kërkohen në rajonin e kontrolluar nga Rusia për të punuar, vozitur dhe për të marrë ndihmë financiare. 25 korrik 2022.
Flota ruse e Detit të Zi ka pësuar disa turpërime që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, duke përfshirë fundosjen në prill të anijes së saj kryesore Moskva.
Bazat ushtarake dhe depot e municioneve në rajonin e Krimesë të aneksuar nga Moska u goditën nga shpërthime gjatë javës së kaluar.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha në buletinin e saj të përditshëm të inteligjencës më 18 gusht se performanca krejtësisht e dobët e forcave ruse që nga fillimi i pushtimit mund të shkaktohet, të paktën pjesërisht, nga dështimi i komandantëve për të zbatuar disiplinën e betejës së nivelit të ulët.
Inteligjenca britanike vuri në dukje mungesën e trajnimit të forcave ruse në montimin dhe mirëmbajtjen e duhur të armaturës së tankeve – një mangësi e vërejtur për herë të parë gjatë Luftës së Parë Çeçene të 1994 – si arsyeja kryesore për humbjet e mëdha të Moskës në tanke dhe automjete të blinduara.